Meta: Shqipëria ka nevojë urgjente për qeveri teknike, Rama po shpopullon vendin
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij në konferencën për media ka hedhur një sërë akuzash ndaj qeverisë, e cila sipas tij, është shkaktarja kryesore e shpopullimit të vendit dhe e varfërisë së qytetarëve shqiptarë.
Meta ka falënderuar më tej të gjithë qytetarët që kanë qenë prezentë në protestën e mbajtur një ditë më parë para Kryeministrisë, ndërsa u bëri thirrje të jenë gjithnjë aty për rrëzimin e asaj qeverie, që sipas tij, po i detyron të largohen nga vendi.
“Arsyet përse qytetarë ishin të shumtë në një ditë tmerrësisht të nxehtë dje në kryeqytet, ka të bëjë me faktin se 1 milionë prej tyre janë përzënë në 11 vite të qeverisjes së Edi Ramës, përmes një spastrimi etnik të nxitur nga shefat e tij në Beograd dhe kudo gjetkë. Arsyet janë të tilla sepse ky është një nga rekordet kriminale jo vetëm në fushën e krimit, pro edhe në fushat e tjera.
Paga mesatare në muaj në Shqipëri në vendin e çmimeve më stratosferike është 1.5 herë më i ulët se në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pensionet 2 herë më të ulët se në Kosovë e 3 herë më të ulët se në Malin e Zi.
Rrugët e florinjta shemben pa u inauguruar sikurse ishte rruga Korçë-Ersekë”, u shpreh Meta.
Ky i fundit u pyet gjithashtu edhe për objektivin e shpallur nga opozita për krijimin e qeverisë teknike. Ndërsa mbështeti plotësisht këtë objektiv, Meta theksoi se vendi ka nevojë urgjente për qeveri teknike.
“Jam absolutisht i bindur që vendi ka nevojë për qeveri teknike. Mbështes këtë objektiv të shpallur nga lideri i PD, Sali Berisha. Jam i bindur që do e fitojmë këtë betejë sepse udhëhiqemi nga interesi kombëtar, publik. Parimet tona janë të drejta dhe të shëndetshme. Kanë të bëjnë me rikthimin e sovranitetit te populli shqiptar. Na mbetet të organizohemi shumë herë më fuqishëm në të gjitha drejtimet”, përfundoi ai.