Meta: Shqipëria, narkoshtet. E kapur nga mafia, Rama ka në dorë drejtësinë dhe godet opozitën
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se sot Shqipëria është narkoshtet.
“Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet; ku sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit; ku llogaridhënia është asgjësuar; Kuvendi siç e shikoni është rrëmbyer nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime”, u shpreh Meta.
Sipas tij, opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe “drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen”.
Meta ka vënë në dukje më tej se drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të kryeministrit.
“Dhe natyrisht që ky degradim demokratik ka prodhuar rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit”, tha Meta.
Duke iu referuar shifrave të INSTAT sipas Metës, nga viti 2011 deri në vitin 2021 mesatarisht 41 mijë qytetarë kanë emigruar çdo vit.
“Në 10 nga 12 Qarqet e Shqipërisë kemi një zbrazje demografike. Ndaj edhe të dhënat e Censusit se sa shqiptarë kanë mbetur në Shqipëri po mbahen sekret. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se rreth 78% e totalit të aplikimeve për azil, janë nën moshën 34 vjeç, pra forca më aktive e vendit dhe shoqërisë. Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve”, deklaroi Meta.
Ai shtoi se nisur nga raportet e institucioneve ndërkombëtare ndërtimi është kthyer “sot në një mekanizëm për pastrimin e parave të pista, ashtu siç e shohim sot sidomos në Tiranë”.
“Ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht në kryeqytet, ku studimet dhe monitorimet tepër serioze vërtetojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes në Tiranë, të paktën mbi 20 herë mbi normat e lejuara, duke rritur ndjeshëm sëmundshmërinë”, u shpreh Meta.