“Metamorfoza” – U lëshuan 43 urdhër-arreste, zbardhen emrat e 26 prej tyre. Në pranga edhe Naim Stafuka
Policia e Shtetit ka arrestuar edhe Naim Stafukën, pjesë e operacionit “Metamorfoza” ku me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi 43 urdhër arreste. Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, i cili u rrëmbye dhe u zhduk në shkurt të 2015 në Fushë-Krujë.
Në 2022 Naim Stafukës iu vu tritol në katin e parë të banesës së tij, ndërsa prej 2015 fati I vëllait të tij mbetet mister pasi u rrëmbye nga 4 persona në qendër të Fushë Krujës. Enver Stafuka ishte duke pirë kafe në një lokal përballë biznesit të familjes së tij, kur 4 persona të veshur me jelekë policie dhe të armatosur, iu afruan dhe nën kërcënimin e armëve e futën forcërisht në një automjet. Në 2013-n Enver Stafuka ishte arrestuar pasi u dyshua si personi që kishte vjedhur automjetin me të cilin u krye atentati ndaj Kryekomisarit Dritan Lamaj. Megjithatë ai u la më pas i lirë. Familjarët kanë akuzuar Durim Bamin si të përfshirë në zhdukjen e Enver Stafukës.
Më herët si pjesë e operacionit “Metamorfoza” pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC, me kërkesë të SPAK në pranga ranë edhe Erigert Mitri, ish-drejtor i Policisë së Lezhës (aktualisht specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit), Klodian Jashari, ish-shef i krimeve në Delvinë, si dhe Altin Morina, ish-efektiv i forcave speciale RENEA.
Gjithashtu në Spanjë u vu në pranga Denis Meta, ndërsa në Itali u kap Arjan Tuku. Nga hetimet e kryera, SPAK ka dalë në përfundimin se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën. Gjithashtu 36-vjeçari ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit.
SPAK ka zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale nga vrasjet, atentatet, falsifikimet me qëllim përfitim e pronave në bregdet në mënyrë të paligjshme etj. Zbardhja e këtyre ngjarjeve është bërë pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC.
43 urdhër arreste u dhanë për personazhe të njohura të botës së krimit, si dhe drejtues të klaneve kriminale në vend, që nga vëllezërit Leonard e Erlis Duka, Astrit dhe Altin Avdylaj, Valter dhe Burim Bami, Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni, Mir Brruli etj.
Forcat RENEA-s, FNSH-së dhe policisë nisën kontrollet nga Veriu në Jug ku në fokus ishte Shkodra, Lezha, Kurbini, Fushë Kruja, Nikëla, Tirana, Durrësi dhe Vlora.
Zbardhen emrat e 26 prej personave që janë lëshuar urdhër arreste.
1-Leonard Duka arrestuar në Belgjikë pret ekstradimin për vrasjen e Santiago Malkos
2-Erlis Duka në kërkim ende për vrasjen e Santiago Malkos
3-Fatmir Hyseni alias Doçja në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos dhe atentatin ndaj Inez Hajrullës
4-Arben Ndoka në kërkim ish-deputet ndodhet në Dubai prej më shumë se një viti më parë, i përmendur në dosjen “Metamorfoza”
5-Xhevi Ndoka vëllai i Arben Ndokës arrestuar më herët për pronat komunikuar masa në burg
6- Samuel Ndoka, nipi i Arben Ndokës
7- Armando Ndreca, vëllai i deputetit Eduard Ndreca i arrestuar para disa javësh për kultivim droge në një stan në Lezhë, por brenda dy ditëve u la i lirë nga Gjykata.
8-Elvis Ndreca djali xhaxhait të deputetit Eduard Ndreca
9- Astrit Avdylaj në kërkim, për sigurim kushtesh për të kryer vrasje.
10-Aldo Avdylaj nipi i Astritit, sigurim kushtesh për të kryer vrasje
11-Albert Zaja arrestuar në 2021 për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, komunikuar masa në burg
12- Durim Bami në kërkim i strehuar në Dubai, sigurim kushtesh për të vrarë Marklen Hakën. Nga atentati që iu bë këtij të fundit më 21 shtator 2019 mbeti e vdekur halla e tij.
13-Naim Stafuka, vëllai i Enverit të zhdukur prej kohësh pa gjurmë. Burimet thonë se Durim Bami siguroi kushte për të vrarë Marklen Hakën dhe në këtë ngjarje u përfshi edhe Stafuka.
14-Marklen Haka personazh i njohur, disa herë i lakuar si i përfshirë në ngjarje kriminale, rezultonte i lirë por ruhej nga kundërshtarët disa prej të cilëve më herët i kishte miq e bashkëpunëtorë
15-Santilo Basho i skeduar më herët, vëllai i Tesi Bashos i skeduar gjithashtu dhe i arratisur nga burgu, masa i është komunikuar në burg
16-Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, në kërkim si pjesë e bandës së Durrësit. Gjykohet për vrasjet e 2005 ndaj Vajdin Lames e Klodian Saliut.
17-Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë pjesë e grupit të Durrësit, akuzuar për vrasjet e 2005 Vajdin Lames e Klodian Saliut, gjykohet në mungesë
18-Viktor Imeri, në burg për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames, iu komunikua masa në burg
19- Endrit Dokle, ish-anëtar i bandës së Durrësit, doli nga burgu më 14 janar 2020, ku në fakt duhet të qëndronte përjetë me vendim të gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha.
20- Ervis Doçi njohur si “Visi i Pojës”.
21-Denis Meta kapet në Spanjë
22-Arjan Tuku kapet në Itali
23-Mir Bruli kushëri i Pëllumb Gjokës, biznesmen i njohur në Velipojë
24- Henrigert Mitri, ish drejtues i Policisë Lezhë
25-Klodian Shahini ish punonjës policie kufitare
26-Altin Morina ish efektiv i RENA-s, arrestuar rreth dy vite më parë me 113 mijë euro në makinë, i liruar nga qelia