Mete: Rishikim të çmimeve të referencës në bregdet. Do merret parasysh edhe mosha e ndërtesave
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri me dije se do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës së banesave në zonat bregdetare. Në një konferencë për shtyp, ku bëri bilancin e vitit që lamë pas, Meta tha se rishikimi i çmimeve të referencës do të reflektojë edhe rritjen e çmimeve në këto zona.
“Gjatë këtij viti do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në bregdet me ndarje zonash të caktuara që do të reflektojnë rritje çmimesh në këto zona. Çmimet e referencave që përdoren në shitje. Ka disa çmime referencash që janë të pa rishikuara, ndërkohë që veçanërisht në linjën e parë bregdetare, çmimet janë shumë më të larta. Qasja do të jetë zonale, jo i gjithë qarku apo qyteti me të njëjtën vlerë, por atje ku çmimet janë rritur ndjeshëm, do aplikohet edhe një çmim reference më i lartë”, tha Meta.
Po ashtu, Ministri bëri me dije se në aplikimin e çmimit të referencës do të merret parasysh edhe mosha e ndërtesës, ku do të ketë një zbritje me 1% për çdo vit vjetërsie.
“Ndërkohë, kur të aplikohet ky çmim reference, edhe sot në Tiranë ku u rritën në mes të vitit, do merret parasysh mosha e ndërtesës. Për një ndërtesë me moshë më të vjetër, për çdo vit vjetërsie do të zbritet çmimi i referencës me 1%, në mënyrë që ato që janë godina të vjetra të reflektohet çmimi sa më afër realitetit”, tha Mete.
I pyetur mbi sigurimin e detyrueshëm të banesave, Mete tha se ligji është ende në diskutim dhe se ende nuk është vendosur nëse primi do të jetë bazik dhe i unifikuar për të gjithë vend, apo i ndarë në zona. Ai theksoi se drafti i konsoliduar pritet të bëhet publik brenda 3 muajve të parë të këtij viti.
“Sigurimi i detyrueshëm i banesave, ligji është në diskutim. Kemi një analizë të Bankës Botërore. Sa i përket primit është në diskutim nëse do të jetë bazik i unifikuar për të gjithë vendin, apo i ndarë në 2 apo 4 zona që reflektojnë nga njëra anë riskun sizmik dhe nga ana tjetër vlerën e banesave, sepse në momentin që paguhet primi i banesave ka edhe një lidhje me vlerën maksimale të sigurimit që sigurisht edhe ajo do të jetë e limituar. Besoj se brenda 3 mujorit të parë të 2024 do të kemi një draft të konsoliduar”, u shpreh Ministri.