Mete: Shpërblim për fundvit për shtresat në nevojë, 1 pagë bonus për punonjësit që punuan për procesin screening
Ministri i Financave Ervin Mete ka deklaruar se punonjësit të cilët janë marrë me procesin e integrimit, screening dhe takimet bilaterale do të marrin një pagë shpërblim.
Pyetur nga gazetari i RTSH-së mbi bonusin e shtresa në nevojë, ministri u shpreh se shpërblimi do të jetë në masë të njëjtë me atë të pensionistëve.
“Siç ju thashë, shpërblimi apo bonusi është në të njëjtën masë që iu dha pensionistëve, ndërsa për disa kategori të posaçme të cilat kanë përfituar aktualisht, siç kanë qenë invalidët e punës apo përfitues të pensioneve familjare, praktikisht tani dyfishohet masa. Por, edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ, për kategori të posaçme siç janë p.sh familjet me ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja. Ndërkohë, për punonjësit e administratës të cilët kanë qenë të përfshirë në procesin e screening dhe takimet bilaterale, do të jetë një pagë shpërblim”, tha Mete.