Mete takohet me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Financave të Malit të Zi, diskutohet bashkëpunimi mes dy vendeve
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, zhvilloi një takim me Zv.Kryeministrin e Malit të Zi, z. Nik Gjeloshaj, njëherësh Ministër i Zhvillimit Ekonomik, dhe Ministrin e Financave të Malit të Zi, z. Novica Vuković.
Takimi u zhvillua gjatë pjesëmarrjes së Ministrit në Ministerialin e Shkupit, ku u prezantua nga Komisioni Evropian Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Mete uroi Zv.Kryeministrin Gjeloshaj dhe Ministrin Vuković për detyrën në qeverinë e re të Malit të Zi, e zgjedhur në 31 tetor 2023.
Gjatë takimit, palët biseduan mbi vijimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në fusha të ndryshme dhe me përfitime dypalëshe.
Po ashtu, bisedimet u fokusuan edhe në ecurinë e projekteve të përbashkëta mes dy vendeve, si ato në fushën e energjisë apo në lumin Buna, ndërlidhjen në fushën e transportit dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.
Ministri Mete dhe Zv.Kryeministri Gjeloshaj theksuan nevojën për krijimin e një sinergjie të përbashkët për të bashkëpunuar në kuadër të reformave për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.