Mijëra shkodranë festojnë në shesh / Dy artistët nga Kosova Mc Kresha dhe Lyrical Son entuziazmuan publikun
Si asnjëherë më parë sheshi para bashkisë në Shkodër, i shndërruar në oazin e festave me titullin “Gzo n’Shkodër” u “pushtua” i gjithi nga qytetarët që kishin ardhur për të ndjekur koncertin e dy artistëve të suksesshëm të tregut muzikor nga Kosova, Mc Kresha dhe Lyrical Son. Disa nga hitet e tyre ndër vite, mes të cilave “Era”, e bënë atmosferën ekzaltuese.
Nuk munguan as këngët shkodrane, të kënduara nga dy artistët e mirënjohur teksa mbanin veshur simbolet e Vllaznisë, si tifozë të saj, deklaruar kohë më parë gjatë intervistave në media. Herë pas here publiku shoqëronte këngët e tyre.
Fundi i koncertit ishte jo pak sfidues për artistët që u rrethuan nga turma e publikut që dëshironte t’i prekte nga afër idhujt e tyre. Më herët dy këngëtarët Mc Kresha dhe Lyrical Son u pritën në mjediset e bashkisë nga vetë kryetari i saj Benet Beci.
Atmosfera e festave të fundvitit në Shkodër ka nisur që në nisje të dhjetorit për të vijuar deri në momentin e ndërrimit të viteve. Çdo mbrëmje artistë të ndryshëm janë bërë pjesë e saj me koncertet që japin në shesh duke përcjellë energji dhe adrenalinë jo vetëm tek vendasit, por edhe vizitorët që kanë preferuar që këto ditë dhjetori të shijojnë magjinë e festave në Shkodër.