Mikela Skandaj, nënkampione Evrope në karate / Kush e pengon lezhjanen që jeton në Itali të përfaqësojë Shqipërinë?
Kemi folur shpesh herë për kampionen e karatesë, 14-vjeçaren e talentuar nga fshati Baqel i Lezhës, e cila duke jetuar në Itali me familjen e saj po korr suksese duke përfaqësuar Kombëtaren italiane. Së fundmi, Mikela konkuroi në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Francë, ku u shpall nënkampione Evrope. E gjendur në Shkodër për festën e ndërrimit të viteve, Mikela dhe familja e saj vizituan RTSH Shkodrën, ku përcollën edhe emocionet e sukseseve të saj.
Siç e ka shprehur edhe herë të tjera, ëndërra e saj është të përfaqësojë Shqipërinë, por deri tashmë, nuk ka asnjë përgjigje pozitive nga strukturat përkatëse sportive dhe shtetërore.
Një gjë të tillë, e konfirmon edhe babai i saj, Angjelin Skandaj, i cili ndër të tjera ka meritën e veçantë në mbështetjen e vajzës së tij duke u shndërruar si një trajner i dytë.
Në të tilla kushte, kur kemi të bëjmë me një talente të niveleve të larta sportive, ku sukseset e saj po shkojnë për Kombëtaren italiane, lind pyetja, pse pengohet që ajo të zyrtarizohet si sportiste e Shqipërisë në mënyrë që trofetë e saj të shkojnë për flamurin kuqezi.