Milan Radojçiq shfajëson presidentin Vuçiq, pranon sulmin me vdekje në Banjskë
Një nga politikanët e Listës Serbe i shpallur në kërkim, Milan Radojçiq, ka pranuar se ka qenë i pranishëm në sulmin e armatosur të ndodhur në fundjavë në Zveçan kundër forcave policore të Kosovës.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Radojçiqin për terrorizëm dhe të premten bastisën edhe shtëpinë e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë ‘luftëtar lirie’ por për një Pablo Eskobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë,” reagoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Vetë Radojçiqi, i cili është dorëhequr edhe nga posti i nënkryetarit të partisë Lista Serbe, reagoi përmes avokatit se më 24 shtator ai ishte në Banjskë, fshatin ku ra edhe dëshmori Afrim Bunjaku në përballje me grupin sulmues.
“Informoj se së bashku me bashkatdhetarët nga Kosova dhe Metohija veriore në 24 shtator kam erdhi në veri të Kosovës dhe Metohisë, në fshatin Banjskë. Arsyeja jonë ishte të inkurajonim popullin serb nga ajo zonë që të rezistojnë ndaj terrorit ndaj të cilit ekspozohen çdo ditë. Unë informoj të gjithë persekutorët e popullit serb, nga [Albin] Kurti deri tek ndihmësit e shumtë të huaj, se personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e njerëzve dhe ky akt nuk ka asnjë lidhje me angazhimin tim të mëparshëm politik. Unë nuk kam njoftuar askënd për këtë, as qeverinë serbe, dhe as nuk kam pasur ndonjë ndihmë prej tyre, sepse ne kemi pikëpamje të ndryshme për çështjen e terrorit të Kurtit,” njoftoi avokati i Radojçiqit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi për median publike spanjolle se partia Lista Serbe është “luftëtare e lirisë” dhe kështu mendojnë edhe serbët që jetojnë në Kosovë.
“Nuk e di nëse ajo që ndodhi ishte një pikë kthese. Jam shumë i shqetësuar, sepse e di sa agresivë janë Kurti dhe [Vjosa] Osmani. Sidomos kur besojnë se kanë shumë mbështetje nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe kjo më shqetëson dhe më tremb,” tha presidenti Vuçiq.
Milan Radojiçiq ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe dhe dyshohet për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Në dhjetor të vitit 2021, SHBA futi në listën e sanksioneve Radojiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.
Bastisja e shtëpisë
Policia e Kosovës ndërmori herët në mëngjes një aksion me përforcime të shumta në Mitrovicë në kërkim të Radojiçiqit.
Mediet lokale publikuan foto të autoblindave përballë objektit të banimit të të shumëkërkuarit dhe të forcave speciale në hyrje të rrugës. Gjatë aksionit raportohet se u sekuestrua një motor me katër rrota si dhe një skaf, i cili përdorej për lundrim në Liqenin e Ujmanit.