Mina me telekomandë, arrestohet 20-vjeçari / Pjesë të një grupi kriminal në Shkodër e Tiranë
Një 20-vjeçar banues në Tiranë, por i lindur ne Njësinë Adminsitrative Postribë, të Bashkisë Shkodër është arrestuar nga blutë e kryeqytetit, pasi në bashkëpunim me vëllain e tij i moshës 23 vjeç, tashmë i shpallur në kërkim, kishin planifikuar që të kryenin atentate me eksploziv.
Policia thotë se në kuadër të operacionit ‘Brothers’ ka sekuestruar 2 mina me telekomandë me lëndë eksplozive C4 peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.
Gjithashtu, janë sekuestruar aparati celular i 20-vjeçarit të ndaluar, si dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Mësohet se dy vëllezërit dyshohet se ishin pjesë në një grupi të strukturuar kriminal në Shkodër, por që kishin edhe bazë në Tiranë.
Minat përgatiteshin në mënyrë artizanale për t’u përdorur më vonë për atentate. Dyshohet se lënda shpërthyese ishte përgatitur për larje hesapesh mes bandave, ose e porositur nga persona të tjerë për ndonjë atentat të mundshëm.
Në lidhje me ngjarjen po vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar implikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.