Minatorët e Trepçës në grevë urie, marrin mbështetje nga minatorët e SHBA-së
Vazhdon prej ditësh greva e minatorëve të Trepçës, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar duke kërkuar edhe ndihmë mjekësore.
Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, lajmëroi se gjendja e tyre paraqitet e rënduar, shkruajnë mediat kosovare.
“Gjendja është shumë e rënduar. Dita e gjashtë e grevës dhe ka 24 persona që po kërkojnë ndihmë. Jo, me kryeshefin dhe bordin s’kemi pasur kontakt, por kemi zhvilluar një takim me të deleguarit nga qeveria. Takimi me ta është zhvilluar sot. Ata veç e kanë dëgjuar zërin tonë, nuk mund të them që presim diçka,” tha ai.
Ndërsa sa i përket deklaratave nga ana e qeverisë së pagat e minatorëve në Kosovë shkojnë deri në në 1 mijë e 250 euro, ai tha se paga të tilla “ne s’i kemi parë as në ëndërr”.
Më tej, Jonuzi bëri të ditur se politikanë të ndryshëm kanë dashur t’i vizitojnë minatorët grevistë, por s’i kanë lejuar që të hyjnë pasi s’kanë dashur që grevës t’i japin konotacion politik.
Kujtojmë se kërkesat e minatorëve janë që pagat e tyre të dalin në mes datës 6 dhe 10 të çdo muaji, të shkarkohet kryeshefi i “Trepçës” dhe të ketë sigurime shëndetësore.
Minatorët thonë se kërkesat e tyre jo domosdoshmërisht lidhen me pagat.
“Kërkesat tona të parashtruara në mënyrë publike tanimë e disa muaj janë të qarta dhe konkrete. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, pagesa e pagave në aktuale me kohë dhe shkarkimi i një menaxheri i cili çdo ditë e më shumë është duke e shkatërruar minierën e Trepçës. Këto kanë qenë dhe mbeten kërkesat tona dhe se minatorët nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre”, thuhet në reagim.
Minatorët marrin mbështetje nga minatorët e SHBA-së
Minatorët e Trepçës kanë thënë se për të ndërprerë atë duhet të kenë siguri për realizimin kërkesave. Ata kërkojnë një marrëveshje me shkrim.
Ndërkohë, me minatorët grevistë janë solidarizuar punëtorët e Bashkuar të Minierave të Amerikës (UMWA).
Kjo organizatë sindikale i ka shkruar letër kryeministrit Albin Kurti, me të cilën kanë shprehur përkrahjen e tyre për minatorët e Sindikatës së Pavarur të “TrepçëS” të cilët janë në grevë urie nga 24 tetori.
“Është një gjendje tragjike kur punëtorët që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të mirën e vendit të tyre janë të detyruar të drejtojnë një grevë urie për të siguruar një marrëveshje të drejtë kolektive që ofron dinjitet, një mjedis të sigurt pune, përfitime jetike shëndetësore dhe kompensim të drejtë për shërbimin kritik që ata ofrojnë,” thuhet në letër.
Sipas letrës, UMWA kërkon nga kryeministri që të bëjë gjithçka për të zgjidhur me shpejtësi dhe drejtësi këtë grevë, duke u siguruar që minatorëve t’u sigurohet siguria dhe dinjiteti.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me vëllezërit dhe motrat tona të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve ‘TREPÇËS’ dhe lutemi për zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të kësaj greve,” thuhet ndër të tjera në letrën e UMWA, drejtuar kryeministri Kurti.