Ministri Balla takon kryetarin e KLP: Politikë penale më të ashpër kundër zjarrvënësve
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e vlerëson pozitivisht propozimin për ashpërsimin e dënimeve ndaj veprave kriminale brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.
Plani i sigurisë në shkolla ishte një nga temat që diskutuan të premten (8 shtator) mes ministrit të Brendshëm, Taulant Balla dhe kryetarit të KLP-së, Alfred Balla.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbështet Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në intensifikimin e goditjes së fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe vlerëson pozitivisht propozimin për ashpërsimin e dënimeve ndaj veprave kriminale të kryera brenda perimetrit të sigurisë së shkollave,” njoftoi ministri Balla.
Në fokusin e diskutimit ishte edhe ashpërsimi i politikave penale për zjarrvënësit, nisur nga rastet e javëve të fundit, të cilat kanë përfunduar me pasoja të rënda mjedisore dhe ekonomike për qytetarët.
KLP-ja në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore po ashtu po kryen vetingun e magjistratëve të ardhshëm prokurorë, ndërkohë që pikë tjetër diskutimi mes dy krerëve ishte dhe përmirësimi i eficiencës në radhët e Policisë Gjyqësore, ku KLP-ja vëren mungesë stabiliteti, që shkaktohet nga lëvizjet e shumta të këtyre oficerëve.