Ministri britanik, Dokerti: Të kënaqur që trupat tona do të përforcojnë KFOR-in në Kosovë
Ministri britanik për Çështjet Evropiane, Leo Dokerti (o. Docherty), është shprehur i kënaqur që një batalion i ushtrisë së Britanisë Madhe do t’i bashkëngjitet KFOR-it në Kosovë.
“Të kënaqur që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po forcojnë KFOR-in në Kosovë, duke demonstruar përkushtimin tonë ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor,” ka shkruar ministri britanik në platformën “X”.
“E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut,” tha ministri Dokerti.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se “për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetjes nëse kërkohet”.
Ishte Aleanca Veri-Atlantike (NATO) e cila ka konfirmuar se ka autorizuar forca shtesë në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Në njoftimin për media thuhet se KFOR-i do të ndërmarr veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.