Ministri Hasani: Navalni jetoi dhe vdiq pa bërë kompromise për vlerat e demokracisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh të premten thellësisht i trishtuar nga lajmi i vdekjes së liderit të opozitës së Rusisë, Alexei Navalni në një burg rus.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri Hasani tha se “Navalni jetoi dhe vdiq pa bërë kompromise kur vinte puna për vlerat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke u bërë një simbol dhe frymëzim për shumë njerëz”.
“Vdekja e tij është një kujtesë e trishtë se sa larg këtyre vlerave është sot Rusia”, ka shkruar krye diplomati shqiptar.
Opozitari i njohur rus dhe kundërshtari numër një i Kremlinit, Alexei Navalni, vdiq të premten në një burg të Arktikut, ku po vuante dënimin me 19 vjet burg. Lajmi u bë i ditur nga shërbimet e burgut.