Ministri Hoxha takon ambasadorin italian: Bashkëpunimi do të vazhdojë të jetë në nivelet më optimale
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka pritur në një takim Ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci të cilit i ka pohuar se ka qenë dëshmitar i bashkëpunimit të frytshëm mes dy vendeve në shumë fusha, ndër të cilat edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
“Prita në një takim kortezie Ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, i cili së pari, më uroi për detyrën e rëndësishme të marrë. Konfirmuam edhe njëherë afërsinë mes dy vendeve mike.
I pohova ambasadorit se kam qenë dhe jam dëshmitar i bashkëpunimit të frytshëm me shtetin italian në çdo fushë, duke nisur nga siguria publike, deri tek mbështetja që Italia i jep Shqipërisë në rrugëtimin për anëtarësim në 🇪🇺.
Ambasadori italian theksoi gjatë takimit tonë të parë, kënaqësinë për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar.
Shpreha gatishmërinë maksimale të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për t’i çuar përpara të gjitha proceset që kërkojnë vëmendjen e tij me bindjen e plotë se bashkëpunimi do të vazhdojë të jetë në nivelet më optimale”, thuhet në njoftim.