Ministri i jashtëm i Kinës akuza SHBA: Kontrollet tregtare, absurde. Ka perceptim të gabuar për ne
Diplomati më i lartë i Kinës ka goditur politikën tregtare të Uashingtonit.
Ministri i jashtëm i Kinës, Wang Yi ka deklaruar se shkëmbimet midis të dy vendeve mund të vazhdojnë vetëm nëse të dyja palët respektojnë dhe njohin dallimet e tyre.
Ai theksoi se SHBA-të janë kapur pas perceptimeve të gabuara për Kinën dhe nuk i kanë përmbushur ende “premtimet” e tyre, pavarësisht disa përparimeve që nga takimi i presidentëve Joe Biden dhe Xi Jinping nëntorin e kaluar.
Ministri i Jashtëm kinez, akuzoi SHBA-në për “shpikjen e taktikave të ndryshme për të shtypur Kinën” dhe tha se lista “zgjatëse” e sanksioneve të njëanshme të Uashingtonit ka arritur në nivelet e absurditetit të pamatshëm.
“Nëse nervozohet sa herë që dëgjon fjalën Kinë, ku është besimi i saj si një vend kryesor? Nëse ajo dëshiron vetëm të përparojë, por u mohon vendeve të tjera zhvillimin legjitim, ku është drejtësia ndërkombëtare? Nëse ajo monopolizon vazhdimisht nivelin e lartë të zinxhirit të vlerës dhe e mban Kinën në fundin e ulët, ku është drejtësia dhe konkurrenca?”, tha Wang.
Komentet e tij vijnë ndërsa Uashingtoni vazhdon përpjekjen për të kufizuar llojet e teknologjisë së nivelit të lartë që mund të aksesohen nga Kina. Në tetor, Shtëpia e Bardhë reduktoi më tej llojet e gjysmëpërçuesve që kompanitë amerikane mund të shesin në Kinë, pasi synon të sigurojë që teknologjia amerikane nuk do të përdoret për të forcuar ushtrinë kineze.
SHBA ka miratuar gjithashtu sanksione kundër aktorëve kinezë për një sërë çështjesh në vitet e fundit, duke përfshirë akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut në Xinjiang, tregtinë e paligjshme të fentanilit dhe ofrimin e mbështetjes për pushtimin rus të Ukrainës.