Ministri Maqedonci : Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga Serbia!
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci deklaroi se Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga Serbia. Në konferencën e fundvitit me gazetarët, ministri theksoi se 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të vendosura përgjatë kufirit jugor të shtetit fqinj me Kosovë. Ai përmendi edhe vendosjen e 48 bazave operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.
“Kjo paraqet kërcënim të vazhdueshëm. Këtë e kemi thënë disa herë. Tri nga katër brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të Serbisë. Kjo paraqet kërcënim dhe militarizim të zonës jugore të Serbisë e rrjedhimisht edhe të zonës kufitare të Serbisë me Republikën e Kosovës. Pra, prezenca ushtarake normalisht se paraqet kërcënim për vendin tonë” tha ministri kosovar i mbrojtjes.
Maqedonci më tej shtoi se janë në koordinim me KFOR-in, NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim që të zbutet rreziku dhe kërcënimet që vijnë nga kjo qasje e Serbisë. Ai njoftoi se po rrisin kapacitetet ushtarake në mënyrë që Kosova të mund të përballet me çdo rrezik që mund të prekë sigurinë e qytetarëve. Ministri siguroi se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka të gjtha kapacitetet për t’u ofruar mbrojtje dhe siguri qytetarëve të vendit. Ai tha se FSK është ngjitur 5 vende më lartë në indeksin e fuqisë globale të ushtrive në botë. Duke folur për se masat kufizuese të vendosura nga BE, ministri i Mbrojtjes i Kosovës konfirmoi se ato nuk kanë ndikuar tek ushtria, pasi kjo e fundit ka vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.