Ministri Mete: Ekonomia shqiptare në një moment të mirë. Turizmi, ndikim parësor
Ministri i Financave, Ervin Mete ka deklaruar në Forumin e CEO-ve të “AmCham” se ekonomia shqiptare po kalon në një moment të mirë.
Sipas tij, vlerësimi i Bankës Botërore nga Agjencisë Ndërkombëtare “Standard&Poor’s” do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë tonë.
Mete vuri në dukje se detyrimet e prapambetura në dhjetor 2023 kanë zbritur në nivelin më të ulët që nga nisja e monitorimeve nga Ministria e Financave në vitin 2016, në afro 1% të totalit të shpenzimeve.
“Ekonomia e vendit po kalon një moment të mirë dhe këtë e konfirmoi edhe Standard&Poor’s, ashtu siç kanë bërë më herët edhe institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, si edhe duke rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike”, u shpreh Mete.
Ai theksoi gjithashtu se treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm së bashku me pozicionin e jashtëm të Shqipërisë “falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitin e kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022”, ndërsa shtoi se “investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të publikuara ditën e djeshme nga Banka e Shqipërisë”