Ministri Mete takohet me përfaqësues të BB, diskutohet mbi rritjen e mbështetjes për kapitalin njerëzor
Ministri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi një takim këtë të hënë (11 mars) me Drejtorin Rajonal të Bankës Botërore, z. Michal Rutkowski, Menaxherin për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas dhe përfaqësues të tjerë të lartë të BB.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi në drejtim të mbështetjes që Banka Botërore synon të japë në lidhje me punësimin, aftësimin, rritjen e përfshirjes sociale, si edhe investimin në kapitalin njerëzor.
Ministri Mete vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën e Bankës Botërore sa i përket fushave që lidhen me mbrojtjen sociale, me fokus punësimin dhe rritjen e përfshirjes sociale.
Palët vlerësuan rëndësinë e avancimit të dialogut, si edhe analizimit të komponentëve të mbrojtjes sociale, ku Banka Botërore shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencën e saj.
Disa nga fushat ku pritet të fokusohet bashkëpunimi në të ardhmen janë përmirësimi i aftësive të të rriturve në moshë pune, duke i ofruar atyre trajnime dhe shërbime të punësimit, rritja e mundësive për arsimim për fëmijët e familjeve në nevojë, si edhe ndërmarrja e një qasje reformuese ndaj skemës së pensioneve, për përmirësimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të saj.
Në fund të takimit, palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes së kapitalit njerëzor, përmes rritjes së aftësimit, punësimit dhe mbrojtjes sociale.