Ministri Mete takohet me të dërguarin e SHBA-së në Tiranë, David Uisner
Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim zyrtar të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Uisner (Wisner). Në takim u diskutua mbi mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara Amerikës.
Ministri Mete vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja ka dhënë dhe vijojnë të japin për zbatimin e reformave të rëndësishme për vendin. Mete u shpreh se qeveria shqiptare mirëpret rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, edhe si aleatë në NATO.
Në këtë drejtim, diplomati Uisner shprehu gatishmërinë për të vijuar mbështetjen për Shqipërinë, e cila në buxhetin e vitit 2024 për sektorin e mbrojtjes arriti për herë të parë 2% të PBB-së (prodhimit të brendshëm bruto) si angazhim ndaj NATO-s.
Gjithashtu, z. Uisner rikonfirmoi vijimin e mbështetjes së SHBA-ve për Shqipërinë përmes programeve të financimit të USAID, ku parashikohet një marrëveshje e re me qeverinë shqiptare për një sërë projektesh.