Lajme

Ministri Taravari për RTSH 24: Ndryshimet kushtetuese për BE i fillojmë brenda vitit

Qeveria maqedonase ka shpresa se brenda vitit do të nisë të amendojë kushtetutën e vendit për të plotësuar kërkesën e Bullgarisë, e cila po kushtëzon hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kryetari i “Aleancës për Shqiptarët”, Arben Taravari, njëherësh ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, deklaroi të mërkurën (20 nëntor) për RTSH 24 se me gjithë skepticizmin ndaj tij, kryeministri aktual Hristijan Mickoski është i interesuar që kjo të ndodhë shpejt.

Maqedonia ka pasur kusht prej Brukselit, por në koordinim me Sofjen dhe Shkupin, duhen bërë ndryshime në preambulën e Kushtetutës, që të vendosen edhe pakicat bullgare, megjithëse 3.500 bullgarë jetojnë në Maqedoni. Jam shumë optimist se deri në fund të këtij viti do të fillojnë ndryshimet kushtetuese, sepse procedura e ndryshimeve sipas ligjit zgjat 60 deri në 90 ditë. Z. Mickoski si kryeministër është pro Europës dhe i interesuar që negociatat të fillojnë sa më shpejt, por ai kërkon edhe njëfarë garancie që ndaj Maqedonisë nuk do të ketë kushtëzime të tjera.

Rruga e Maqedonisë për në NATO dhe në BE ka qenë shumë e vështirë: ka ndryshuar flamurin, ka ndryshuar kushtetutën disa herë, z. (Zoran) Zaev ndryshoi edhe emrin e shtetit dhe atëherë kur u garantua që nuk do të ketë më kushtëzime të tjera, prej 5-6 vitesh po presim të fillojmë negociatat me BE,” u shpreh z. Taravari.

Debati për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel zyrtar vazhdon të ndajë palët politike në Maqedoninë e Veriut, deri aty sa është kërkuar ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të garantuar të drejtën themelore të komunitetit shqiptar.

Z. Taravari tha se problemi është i mbartur prej dekadash dhe fajësoi z. Ali Ahmeti, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, që tani e ka bërë kauzë çështjen.

Është një propagandë nga partia që ishte në pushtet prej 22 vjetësh, e z. Ahmeti. Në Maqedoni ligji për përdorimin e gjuhëve përdoret si përpara se të ndodhte rotacioni politik.

Fatkeqësisht gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni, pasi në ish-jugosllavi kishte tri gjuhë zyrtare: gjuha maqedonase, shqipja dhe gjuha turke. Mbas konfliktit të vitit 2002, para pavarësimit të Maqedonisë, ka nisur reduktimi i gjuhës shqipe. Në 2007 përsëri një ligj me mundësi më të mëdha për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ai ligj përdoret tani pa asnjë reduktim. Në vitin 2018, ligji i fundit për përdorimin e gjuhëve, me lejen e z. Ahmeti u dërgua në Komisionin e Venedikut për të kërkuar mendim prej tyre. Ata thanë se vetëm tri nene të ligjit praktikisht duhet të debatoheshin.

Tri nenet për të cilat vajton z. Ahmeti, çdo ditë shkruan letra në Tiranë, Prishtinë, Uashington, Bruksel e çdokund. Këto tre nene edhe tani, edhe para 5 viteve nuk zbatoheshin: që gjuha shqipe të jetë në kartëmonedha, të përdoret gjuha shqipe në uniformat e policëve dhe ushtarëve, dhe që gjuha shqipe të implementohet në proceset gjyqësore.

Unë nuk e kam ditur që z. Ahmeti e ka penën aq të mprehur. Aq letra ka shkruar për 5 muaj sa është në opozitë, prej 22 vjetësh ka qenë në pushtet, dhe tash duhet t’i mbledhim këto letra dhe t’i bëjmë një libër me letrat e ndryshme gjithandej, duke alarmuar se në Maqedoninë e Veriut po ndodh katastrofa. Kjo nuk ka të bëjë aspak me realitetin,” deklaroi z. Taravari.

Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se do të rishqyrtojë kushtetueshmërinë e ligjit të gjuhës. Ligji i miratuar në 2018-ën parashikon përdorimin zyrtarisht të një gjuhe të bashkësive etnike nëse e flasin mbi 20% e numrit të përgjithshëm të popullatës. Sipas z. Taravari, përqindja është pengesa kryesore për momentin.

Partia e z. Ahmeti në asnjë moment nuk ka thënë që ta heqim 20-përqindëshin prej Kushtetutës. Ky është gjeneratori i krizës për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Problemi kryesor që duhet të zgjidhim si shqiptarë është që ta tërheqim prej Kushtetutës përdorimin prej 20 për qind.”

Gjuha shqipe do të jetë zyrtare në Maqedoni. Deklarativisht shumica e politikanëve maqedonas kanë thënë se nuk i pengon të hiqet 20-përqindëshi, por gjejnë arsye të ndryshme se pse nuk duhet tash,” shtoi z. Taravari.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Viti 2024 mbyllet me aktivitete të dimensioneve të ndryshme për librin

"Libri ka fuqinë të transformojë jetët tona" ... është kjo motoja e Qendrës Kombëtare të…

3 hours ago

Euronews: Rënia e avionit në Kazakistan, shkak një raketë ruse

Një raketë tokë-ajër ruse dyshohet se është arsyeja që ka shkaktuar rënien e avionit 8432…

4 hours ago

Nëntoka e Lezhës, e pazbuluar – Do të nisë puna për përcaktimin e zonave të trashëgimisë kulturore

Në Lezhë është kthyer vëmendja ndaj pasurive nëntokësore që gjenden të fshehura nga historia dhe…

4 hours ago

Shkeljet gjatë ushtrimit të detyrës- Në 12 muaj, 444 efektivë të proceduar nga AMP

Më shumë se 440 efektivë policie të sektorëve të ndryshëm janë referuar në Prokurori nga…

4 hours ago

“Studio Sport” në RTSH Shkodra – Analizë në studio për ecurinë e Vllaznisë së futbollit dhe të basketbollit

“Studio Sport” , në RTSH Shkodra, erdhi mbrëmjen e së mërkurës për të gjithë apasionuarit…

4 hours ago

Nisin lëvizjet tek Vllaznia – Futbollisti Serjan Repaj duket çështje e mbyllur

Edhe pse zyrtarisht merkatoja hapet në janar, në kampin kuqeblu kanë nisur më herët të…

4 hours ago

This website uses cookies.