Ministri turk i Mbrojtjes Jashar Gyler në Kosovë: Do të drejtojmë komandën e KFOR-it me neutralitet dhe transparencë të plotë!
Ministri turk i Mbrojtjes Jashar Gyler, zhvilloi një vizitë në Kosovë, nga ku premtoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare dhe transparencë të plotë mbi misionin e KFOR-it në vend.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, më të cilin biseduan për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë.
Sipas një komunikate të Presidencës, gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.
Më herët Guler zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, nga ku foli për detyrën e komandantit turk të KFOR-it, si dhe siguroi mbështetjen e Ankarsë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Ne themi se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në këtë rajon dhe ritheksuam faktin se detyrën e komandantit të KFOR-it, e kemi marrë përsipër dhe do ta realizojmë me neutralitet dhe transparencë të plotë”, tha Guler.
“Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, unifikimin me institucionet euroatlantike dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ai.
Ndërsa, Ministri Maqedonci theksoi në takim rëndësinë e anëtarësimit në NATO të Kosaovës si një hap që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. “Republika e Turqisë ka qenë, dhe do të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi mes vendeve tona, është ndërtuar një shtyllë mbi shtyllat e forta të parimeve dhe besimit reciprok, prandaj si i tillë ai do të vazhdojë të thellohet, dhe patjetër që do të jetë i qëndrueshëm me forcë… Në këtë aspekt kam kërkuar nga ministri Guler mbështetje për anëtarësimin e Republikë së Kosovës në partneritetin e programit për paqe, dhe kam theksuar rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO si rrugë që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ministri Maqedonci.