Ministria Koçiu ndan lajmin e mirë për Lezhën: Nis së shpejti rikonstruksioni i spitalit, shërbime më të mira për rreth 200 mijë qytetarë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka ndarë lajmin e mirë që së shpejti do të nis puna për rikonstruksionin e plotë të Spitalit Rajonal të Lezhës.
Gjatë një vizite në ambientet e spitalit, Ministrja Koçiu u shpreh se përveç rikonstruksionit do të rritet dhe gama e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Lezhës.
Koçiu u shpreh se ky investim do të mundësojë rritjen e cilësisë së shërbimit për rreth 200 mijë banorë si dhe transformimin e ambienteve për mjekët dhe pacientët.
“Një lajm i mirë ky për të gjithë mjekët, infermierët dhe gjithë stafin që punon në spitalin rajonal të Lezhës, por edhe për afro 200 mijë banorë dhe qytetarë të të gjithë rajonit që do të përfitojnë nga kushte shumë më bashkëkohore në këtë strukturë spitalore. Falë investimeve të vazhdueshme të qeverisë dhe MSHMS-së në aparatura bashkëkohore do të ofrohen shërbime të reja diagnostikuese dhe ekzaminuese”, deklaroi Koçiu.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë vizitoi edhe ambientet e transformuar të Maternitetit të Lezhës, duke theksuar se është “një model ekselent në pajisje dhe teknologji”.
Ajo falënderoi mjekët dhe infermierët për punën e tyre në shërbim të grave dhe vajzave. Në bashkëbisedim me ministren Koçiu, stafi mjekësor, por edhe qytetarët u shprehën shumë të kënaqur për kushtet e krijuara si dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen.