Ministria palestineze e Shëndetësisë: Numri i të vdekurve në Gazë shkon mbi 10 mijë
Më shumë se 10.000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake një muaj më parë, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah.
Izraeli i shpalli luftë Hamasit pasi grupi militant islamik filloi një sulm brutal më 7 tetor, duke vrarë 1.400 persona në Izrael dhe duke rrëmbyer më shumë se 240. Izraeli u hakmor duke nisur një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gaza, duke u zotuar të eliminonte grupin militant.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë të hënën se kanë goditur qindra objektiva të Hamasit dhe kanë marrë kontrollin e një kompleksi ushtarak në Gaza gjatë 24 orëve të fundit.
Brenda enklavës, shërbimet e komunikimit po rikthehen ngadalë në disa pjesë të Gazës pas një ndërprerjeje në fundjavë. Mesatarisht, rreth 30 kamionë që transportonin ndihma humanitare kanë kaluar nëpër kufi çdo ditë, tha Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Ramallah. Megjithatë, kjo ende nuk përfshin furnizimet me karburant./ CNN