Ministrja e Jashtme finlandeze nis turin në Ballkan me vizitë në Shqipëri
Ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka paralajmëruar vizitë në Shqipëri, Kosovë e Serbi në datat 4 dhe 5 shtator, njofton qeveria finlandeze.
Sipas saj qëllimi i kësaj vizite njoftohet se është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor.
“Finlanda mbështet aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE” bëhet e ditur në njoftimin e lëshuar nga Qeveria finlandeze.
Kryediplomatja finlandeze gjatë turit në vendet e Ballkanit Perëndimor do të takohet me homologët e saj, si dhe lidershipin politik të këtyre vendeve.
“Finlanda mbështet fuqishëm rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Mirëqenia dhe stabiliteti i rajonit janë shumë të rëndësishme për të gjithë Evropën, përfshirë Finlandën. Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë më të afërt, veçanërisht duke pasur parasysh mjedisin aktual të sigurisë evropiane. BE-ja është tashmë partneri më i afërt i vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Valtonen.