Ministrja Koçiu: Buxheti 2024 rrit pagat për 22 mijë punonjës të sistemit shëndetësor
U mbajt në Tiranë Konferenca e 30-të e Kirurgjisë Shqiptare dhe Kongresi i 7-të Shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë Urgjente.
Në ceremoninë e hapjes së këtij eventi të rëndësishëm rajonal, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, tha se buxhetit 2024, i cili është më i madhi deri sot i akorduar për shëndetësinë do të mundësojë investime për pajisje moderne dhe të teknologjisë së fundit.
“Një tjetër pikë kyç në buxhet janë edhe vijimi i shtimit të pajisjeve moderne dhe teknologjisë së fundit për të bërë diagnostikimin më të mirë, për të shërbyer më mirë qytetarëve. Pas rehabilitimit të plotë të 20 spitaleve dhe 340 qendrave shëndetësore, deri në fund të vitit 2024, ne do të vijojmë të rikonstruktojmë dhe t’i shtojmë Qendrave Shëndetësore edhe 60 godina të tjera,” deklaroi ministrja Koçiu.
Tashmë parashikohet të ndërtohet edhe godina e re e mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
“Mbështetja për Urgjencën Kombëtare do të ndihmojë akoma më shumë në rritjen e efikasitetit dhe shpejtësisë në reagim, marrjen e trajtimit paramjekësor, duke përmirësuar kështu drejtpërdrejtë dhe punën në Spitalin e Traumës,” u shpreh ministrja.
Gjatë vitit të ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të rikonstruktojë Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, godinën qendrore të spitalit Rajonal Gjirokastër dhe spitalin Rajonal Korçë.
Sipas ministres me buxhetin e ri do të vijojë rritja e pagave për rreth 22 mijë punonjës shëndetësorë.