Miratimi i projektligjit për Ruandën, Ambasada britanike: Qeveria, përgjigje të re ndaj migrimit të paligjshëm
Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar mbi miratimin e projektligjit për Sigurinë e Ruandës.
Sipas ambasadës britanike, ky projektligj i cilësuar si historik, do të parandalojë përdorimin e sfidave ligjore për të vonuar largimin e azilkërkuesve në Ruandë.
“Projektligji për Sigurinë e Ruandës kaloi në Parlament dhe do të shndërrohet në ligj. Ky projektligj historik do të parandalojë përdorimin e sfidave ligjore për të vonuar largimin e azilkërkuesve në Ruandë”, shkruan ambasada në rrjetin social X.
Projektligji i shumë diskutuar i kryeministrit britanik Rishi Sunak mori miratimin nga Dhoma e Lartë e Parlamentit.
Kryeministri britanik Rishi Sunak paralajmëroi një ditë më parë (22 prill) se do të fillonte dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë brenda 10 deri në 12 javë.
Marrëveshja e nënshkruar me Ruandën është e para në Evropë dhe zbatimi i saj po shikohet me interes në të gjithë kontinentin. Synimi është që Londra të deportojë njerëzit që kanë mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar (pa viza, me anije ose të fshehur në kamionë) në këtë vend të Afrikës Lindore, ekonomia e të cilit është dinamike, por regjimi i të cilit konsiderohet nga shumë autoritar.
Këta persona do të mund të kërkojnë azil vetëm nga Ruanda, e cila do të shqyrtojë kërkesën e tyre. Kjo në mënyrë efektive delegon përgjegjësitë e azilit të Mbretërisë së Bashkuar në Ruanda. E udhëhequr nga presidenti Paul Kagame, Ruanda ka marrë tashmë rreth 500 milionë £ (580 milionë euro) nga Londra sipas marrëveshjes.