Miratohet kredia për hekurudhën Vorë–Hani i Hotit, marrëveshja me BERZH për rehabilitimin
Qeveria shqiptare ka ratifikuar marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, njofton Scan TV. Marrëveshja u nënshkrua në shkurt të këtij viti, ndërkohë që pas miratimit nga Këshilli i Ministrave ajo do të duhet të kalojë në Parlament për të hyrë në fuqi.
Kredia e BERZH kap vlerën e 98.75 mln euro, ndërkohë që kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë–Hani i Hotit përllogaritet në 373,15 mln euro.
Struktura e financimit për këtë projekt ndahet midis kredive të dhëna nga BERZH dhe Banka Evropiane Investimeve, një granti të Bashkimit Evropian dhe mbulimit të TVSH-së nga buxheti i shtetit. Granti i BE-së kap vlerën e 137.9 mln euro, ndërsa kredia e BEI, 120 milionë.
Kjo linjë hekurudhore përshkon ultësirën perëndimore me stacione në Vorë – Mamurras – Laç – Milot – Lezhë – Shkodër – Koplik – Hani i Hotit, ku bëhet dhe lidhja me Malin e Zi. Komuniteti i Transportit ka vlerësuar se rehabilitimi i saj do të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit. Gjatësia e kësaj linje hekurudhore është 120 kilometra.
( Sipas Scan TV )