Miratohet qeveria e Malit të Zi/ Pjesë e kabinetit edhe shqiptarët, një zëvendëskryeministër dhe 3 dikastere
Në një seancë maratonë, parlamenti i Malit të Zi ka miratuar në orët e para të mëngjesit të së martës qeverinë e 44- ët të vendit. Qeveria e re, e cila pason atë të kryesuar nga Dritan Abazoviç, është fryt i një koalicioni të gjërë, përfshi edhe faktorët politikë në Malin e Zi. Qeveria e kryeministrit Millojko Spajiç, do të ketë në përbërje 24 anëtarë, bashkë me shefin e saj.
Sipas analistëve, pavarësisht se mori 46 vota në parlamentin malazez me 81 anëtarë, qeveria e re konsiderohet e brishtë dhe kjo reflektohet në përbërjen e saj. Qeveria do të ketë 5 zëvendëskryeministra, me të cilëve edhe një shqiptar. Pasi dha dorëheqjen si kryetar i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj do të jetë zëvendëskryeministër për politikat ekonomike, njëkohësisht edhe ministër i zhvillimit ekonomik.
Përveç Gjeloshajt, do të jenë edhe dy ministra të tjerë nga radhët e faktorit politik në Malin e Zi. Marash Dukaj do të jetë ministër për administratën publike, ndërsa Fatmir Gjeka do të jetë ministër për të drejtat e njeriut dhe minoritetet.
Ndërkohë, po sot është bërë edhe kalimi i detyrës nga kryeministri Dritan Abazoviç tek pasuesi Millojko Spajiç. Ka qenë Abazoviç ai që ka njoftuar kalimin e detyrës, përmes një publikimi në Facebook, shoqëruar edhe me foto.
“Ashtu siç diktojnë qasjet demokratike, dorëzimi i detyrës u bë mëngjesin e sotëm. Kryeministrit të ri dhe qeverisë së 44- ët, i urova mbarësi. Mali i Zi të arrijë vetëm suksese dhe të qendrojë në rrugën e drejtë”, shkruan kryeministri Abazoviç në ditën e tij të fundit në këtë detyrë.