Mirditë/ Parandalohen ngjarje kriminale. Arrestohet 28-vjeçari, në çantë iu gjetën 2 mina me telekomandë
Parandalohen ngjarje të rënda kriminale që do kryheshin me mina me telekomandë. Policia e Mirditës ka arrestuar një 28-vjeçar i cili mbante në çantën e shpinës 2 mina me telekomandë me lëndë plasëse C4.
Blutë bëjnë me dije se 28-vjeçari Marian Gjoka, i ka siguruar minat me telekomandë në Malin e Zi ku ishte i punësuar. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e 28-vjeçarit, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
“Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar i cili lëvizte me këmbë, në drejtim të qytetit, dhe kanë ndërhyrë menjëherë. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Gj., 28 vjeç, banues në Qafë Unazë, njësia administrative Rubik, Mirditë, rezident në Malin e Zi.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në çantën e shpinës së 28-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mbi këtë ngjarje ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla përgëzoi punën e bërë nga Policia. Ai bëri me dije se gjatë natës janë zhvilluar edhe 2 operacione kundër trafikimit të armëve dhe për goditjen e shfrytëzimit për prostitucion të personave të mitur.
“Parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe goditja e armëmbajtjes pa leje rrit sigurinë publike. Përgëzoj Policinë e Shtetit Rrëshen për rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse, si dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.
Gjatë natës janë zhvilluar edhe dy operacione kundër trafikimit të armëve dhe për goditjen e shfrytëzimit për prostitucion të personave të mitur. Duhet çdo ditë reagim edhe më i fortë ndaj këtyre veprimtarive kriminale”, tha Balla.