“Mirë se vjen Z.Blinken”-Sekretari amerikan nesër në Tiranë, konferencë e përbashkët me Ramën. Tirana “vishet” me flamuj amerikanë
Tirana ka nisur nga përgatitjet për të pritur më 15 shkurt Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, numrin 2 të administratës amerikane që viziton për herë të parë Shqipërinë.
Blinken do të zhvillojë një vizitë disa orëshe në Tiranë, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 16.00-19.00.
Pjesë e takimeve të Blinken do të jetë edhe ajo me presidentin Bajram Begaj dhe me të rinjtë shqiptarë të cilët janë pjesë e programeve që SHBA financon në vendin tonë. Kjo vizitë riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
Për këtë vizitë kryeqyteti shqiptar është veshur me flamujt amerikanë në rrugët ku do të kalojë Blinken, ndërsa në universitetin Politeknik të Tiranës është vendosur një banderolë e madhe me mbishkrimin “Mirë se vjen zoti Blinken”.
Sekretari Blinken ka zgjedhur Shqipërinë mes vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të përcjellë jo vetëm mesazhet e Departamentit të Shtetit, por gjithashtu pritet të rikonfirmohet mbështetja për vendin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.
Më herët zëdhënësi i DASH, Methju Miller (Matthew Miller) u shpreh se “Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës”.
Ndalesa e sekretarit në Tiranë, vetëm disa orë para udhëtimit për në Mynih të Gjermanisë dhe para çeljes së Konferencës së Sigurisë lexohet si mbështetje e SHBA-së për rajonin.