Mjekët pazare me pacientët te Onkologjiku, Rama mbledh sot shefat e shërbimeve në QSUT
Pas skandalit të Onkologjikut, që ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion, kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim të gjithë shefat e shërbimeve në QSUT. Mbledhja do të zhvillohet orët e paradites në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Rama pritet të jetë i ashpër përballë bluzave të bardha, tashmë të gjetur në një situatë ku janë cenuar raportet e besimit midis mjekëve dhe pacientëve.
Ishte Prokuroria e Tiranës ajo që zbardhi skemën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut që në vend të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Në njoftim sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA.
Mjeku Edmond Gashi u la në “Arrest shtëpie”, Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku, po ashtu u lanë në “Arrest shtëpie”. Mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi dhe koordinatori Emiljano Lela, u lanë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Asnjë prej tyre nuk është vendosur në burg nga togat e zeza dhe zëmërimin më shumë e kishin me gazetarët. Por ndërkohë që secili prej mjekëve pretendojnë pafajësi, qytetarët japin dëshmi që thellojnë skandalin e Onkologjikut.