Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Strukturën e Posaccme Antikorrupsion. Deri më tani nuk dihen arsyet e thirrjes së saj në SPAK, por vlen të kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Monika Kryemadhi pranoi se ishte në hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme.
Më 11 prill të këtij viti, SPAK mori në pyetje për gati 5 orë nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.
Kur doli nga ambientet e këtij institucioni, Fatime Kryemadhi deklaroi për mediet se ishte pyetur për pronën e saj.
“Sqarova për pronën. Unë jam mamaja e Monikës, prandaj dhe ju keni ardhur këtu. Jam krenare për vajzën që kam […]. […]Që kur filloi të merret me djegëset ajo, këta filluan të merren pastaj[…]. Unë s’jam pa shtëpi. Kam punuar gjithë jetën. Unë skam qenë pa punë që më kanë nxjerrë këta që me një pension 160 mijë lekë, paskam blerë shtëpi unë”, tha ajo dhe në përgjigje të interesit të gazetarëve nëse ishin pyetur edhe vajzat e deputetes Kryemadhi, theksoi se nuk kishte përse të pyeten.
“Sepse ato i kam mbuluar unë. Unë kam pallatin…. Me shpenzimet e mia që kam pallatin tek toka që më ka lënë burri që kemi punuar bashkë. Po ju kujtoni…, për fëmijët i kam, për kë i kam lekët. Ja shkoni i shifni i kam të gjitha me bankë. Çdo gjë është me bankë, derdhje e dalje me bankë”, u shpreh Kryemadhi.
Në fillim të janarit të këtij viti Gjykata e Posaçme e Apelit, la në fuqi masën e sekuestros ndaj një telefoni në pronësi të deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Telefoni i Kryemadhit është vënë në sekuestro pasi SPAK ka nisur hetimet referuar disa kallëzimeve ndaj Kryemadhit dhe personave të lidhur me të, përfshi ish-presidentin Ilir Meta, aktualisht president i Partisë së Lirisë.