Mori aktivitetesh në komisionet parlamentare, nga ekonomia te punët e jashtme dhe ISKK
Këtë të martë të 28 majit, aktivitetet në komisionet parlamentare nuk do të mungojnë.
Kështu anëtarët e komisionit hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe check-up në shëndetësi pritet të vizitojnë Qendrën Shëndetësore në Kamëz dhe Spitalin Universitar të Traumës në kryeqytet.
Jeta parlamentare do të jetë gjithashtu e fokusuar edhe në komisionin e jashtëm, ku pritet të kalojë për miratim projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit”, si dhe miratimi i projektligjit për komitetin e përbashkët të konventës rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediterrane.
Të dyja projektligjet do të kalojnë edhe në komisionet parlamentare të ekonomisë dhe veprimtarisë prodhuese. Në këtë të fundit, me rëndësi është shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Një seancë dëgjimore me diplomatin Ernal Filo, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, do të zhvillohet në komisionin e jashtëm, teksa në atë të edukimit dhe mjeteve të informimit pritet diskutimi i projektrezolutës për raportin e veprimtarisë 1-vjeçare të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023.
Ndërkaq, në komisionin e sigurisë, si komision përgjegjës, shqyrtohet nen për nen dhe ne tërësi projektligji “Për sistemin e adresave”, si dhe ai për gjendjen civile.