Mori detyrën si kryeministër i Maqedonisë V., Talat Xhaferi: Kushtetuta dhe ligjet do jenë bazë e çdo vendimi
Talat Xhaferi ka marrë këtë të hënë (29 janar) detyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.
Dimitar Kovaçeski i dorëzoi detyrën Xhaferit, ku më pas mbajtën edhe një konferencë për shtyp.
Në fjalën e tij, Xheferi tregoi prioritete e qeverisë, teksa tha se çdo vendim do të merret duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet. Ai theksoi se prioritet do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale, e po ashtu edhe ruajtja e aleancës me SHBA, BE dhe NATO.
“Kushtetuta dhe ligjet do të jenë baza e çdo procedure dhe vendimi që do të marrim si qeveri. Duke patur parasysh që jemi një koalicion qeveritar, kuptohet se dhe qeverinë që do e udhëheq unë, do vazhdojmë me zbatimin e plotë të politikave. Detyra primare është organizimi i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale. Aleanca me SHBA, BE dhe NATO, mbetet prioritet i qeverisë. Ruajtja e kësaj aleance nuk ka alternativë tjetër. Integrimi si udhërrëfyes në platformën qeveritare, janë lart në axhendën e qeverisë. Pa marrë parasysh se sa do zgjasë kjo qeverisë, nuk do të mungojë funksionimi institucional në shërbim të qytetarëve”, u shpreh ai.
Me 65 vota pro dhe 3 kundër, deputetët në Maqedoninë e Veriut votuan të dielën Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.