Mot i ashpër në zonat malore – Rrëshqitja e dherave bllokon rrugën Theth- Ndërlysaj
I gjithë territori I Qarkut Shkodër, vijon të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut dhe të borës në zonat malore.
Bashkia Shkodër bën me dije se kjo situatë ka krijuar problematika sa i takon qarkullimit , veçanarisht për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve në zonën e Dukagjinit.
Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte është e bllokuar rruga Theth-Ndërlysaj në njësinë adminstrative të Shalës, për shkak të rrëshqitjes së një masivi inertesh, gjë që ka sjellë edhe bllokimin e kanalit të ujit që furnizon HEC-in në Ndërlysaj.
Nga Bashkia po punohet për zhbllokimin e rrugës dhe të kanalit të ujit.
Ndërkohë , nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve për Zonën Veriore bëhet e ditur se në të gjitha rrugët , që janë në varësi të kësaj drejtorie, qarkullimi kryhet normalisht, pravarësisht pranisë së reshjeve të borës.
Në akset e Lotit 1, H.Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth, gjatë natës ka patur reshje bore me intensitet të ulët, por ndërkohë ka vijuar puna pa ndërprerje nga firmat kontraktore për mbajtjen hapur të këtyre rruge dhe kriposjen e tyre.
Lëvizja e mjeteve në këto akse këshillohet te kryhet vetëm me goma dimërore.