Mot i paqëndrueshëm në janar- Muaji do të mbyllet i thatë e me temperatura të ulëta
Duke nisur nga pasditja rreshje shiu dhe stuhi do të përfshijnë vendin.
Meteorologia e RTSH-së, Rezarta Xhakollari thotë se termometri do të shënojë temperature të larta, të pazakonta për muajin janar.
“Presim një ciklon i cili është krijuar në Mesdhe dhe presim reshje shiu dhe stuhi të cilat priten të shkaktojnë problematika në zonën e Shkodrës dhe Lezhës duke u shoqëruar edhe me një erë të fortë”, tha Xhakollari.
Por 10 ditëshin e fundit të këtij muaji, kushtet atmosferike do të ndryshojnë. Duke nisur nga fundjava parashikohen rreshje bore dhe rënie e temperaturave.
“Ditën e shtunë një masë shumë e ftohtë do të zbresë drejt Ballkanit. Priten reshje bore në një pjesë të mirë të vendit. Ditën e diel, termometri do të zbresë në vlera negative në një pjesë të mirë të Shqipërisë”, shton ajo.
Sipas meteorologes, ky janar do të mbahet mend për luhatjet e motit dhe temperaturat mbi normën mesatare për këtë muaj. Megjithatë janari do të mbyllet i thatë e me temperatura të ulta.