Moti i keq “mbërthen” vendin, Mbrojtja Civile zbulon qarqet më të rrezikuara nga përmbytjet
Reshje shiu në formën e rrebesheve, stuhi e përmbytje pritet gjatë ditës së nesërme në vendin tonë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka publikuar hartën ku tregohen qarqet më të rrezikuara nga përmbytjet e rrëshqitjet e dherave.
“Sasia e reshjeve pritet të jetë me intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Shkodrës.
- Në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë priten reshje intensive.
- Në qarqet Elbasan dhe Vlorë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
- Reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar priten në qarqet e tjera.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, thuhet në njoftim.
Të enjten (18 prill) po ashtu parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët në të gjithë territorin.
“Në datën 18.04.2023, parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri në mesatar në pjesën më të madhe të territorit.
Në këtë kohë, bashkitë të mobilizojnë strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe institucioneve që kanë në administrim hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile”, thuhet në njoftim.