Moti i keq/ Ndalohet lundrimi i anijeve deri në përmirësimin e kushteve atmosferike
Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bërë me dije se anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete nuk do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e motit. Nëpërmjet një njoftimi, bëhet me dije se gjatë ditës së sotme dhe 2 ditët në vijim, moti do të përkeqësohet ndjeshëm, ku pritet që era të fryjë me shpejtësi deri 20-30m/s, me lartësi dallge deri 1.70-3.50 m.
Për pasojë është ndaluar dhënia e lejes së nisjes gjatë datave 17, 18 dhe 19 duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit .
Po ashtu, drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe të anijeve të peshkimit janë njoftuar që të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuar dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike pritet mbas orës 06:00 të datës 19.
Ndërkohë, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, lundrimet nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas mbrëmjen e sotme janë anuluar.