Moti i keq në Spanjë – Përmbytje në Malaga, rajoni i Valencias nuk pësoi dëmtime
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje në rajonin e Malagës, dy javë pasi përmbytjet më të rënda në Spanjë i morën jetën qindra personave. Shërbimet e urgjencës thanë se më shumë se 1 mijë shtëpi dhe gati 3 mijë banorë u evakuuan në këtë qytet. Ndërsa agjencia kombëtare e motit në Spanjë uli nivelin e alarmit pas shirave të rrëmbyeshëm në bregun lindor të Valencias, pasi një stuhi e re goditi rajonin , por pa shkaktuar viktima.
Zjarrfikësit njoftuan se do të vazhdojnë pastrimin dhe pompimin e ujit në rajonin e shkatërruar pas një nate të vështirë me reshje shiu. Autoritetet rajonale në Valencia njoftuan se universitetet, shkollat, qendrat e kujdesit ditor të të rriturve dhe objektet sportive do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.
Këtë të enjte u kufizua qarkullimi në komunat më të prekura nga përmbytjet, ndërsa agjencia e motit lëshoi paralajmërime për rrezik nga përmbytjet në zonat e rajonit jugor të Andaluzisë dhe një pjesë të bregdetit të Valencias.
Nga përmbytjet e 29 tetorit humbën jetën 223 persona dhe gati të gjitha viktimat u regjistruan në rajonin e Valencias. Nga fatkeqësia natyrore u shkatërrua infrastruktura dhe shumë banesa, ndërsa kostoja e dëmeve llogaritet në dhjetëra miliardë euro.