Moti i keq – OSSH rrit gatishmërinë në zonat e prekura, linjat 35kV në funksion
Prej disa orësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, shoqëruar kryesisht me shtrëngata shiu dhe shkarkesa atmosferike.
Kushtet e motit sollën dëme në shtylla, prezencë uji në kabina, stakime në disa linja 35kV dhe nënstacione.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), pjesë e OSHEE, rriti gatishmërinë në të gjithë vendin, me mjete transporti dhe bazë materiale, duke u përqendruar kryesisht në linjat e tensionit të lartë dhe nënstacione.
Grupet e avarive ndodhen në terren dhe po ndërhyjnë në ato zona ku moti ka një përmirësim, pasi në kushte të prezencës së shiut duhet të bëjnë kujdes në zbatim të sigurisë teknike.
Nga raportimi i orës 14:30, rezulton se kemi jashtë pune 71 fidera, ku më shumë se gjysma janë stakuar nga vet OSSH si masë sigurie për të evituar dëmet në rrjetin elektrik.
Problematika të furnizimit me energji elektrike kemi në zonat Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë. Probleme ka pasur edhe në nënstacione, por falë reagimit në kohë është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike brenda 10 minutash.
Është e rëndësishme të theksojmë se të gjithë linjat e rrjetit elektrik që furnizojnë institucionet e rëndësisë së veçantë, si spitalet dhe hidrovoret janë në funksion të plotë. Gjithashtu, edhe linjat e tensionit të lartë 35kV ndodhen në kushte optimale.