Moti i keq përfshin edhe Lezhën – Era e fortë dëmton linjat elektrike, po punohet për rikthimin e energjisë
Moti i keq me erë të fortë dhe reshje shiu ka përfshirë edhe rajonin e Lezhës, duke krijuar disa problematika kryesisht me furnizimin me energji elektrike.
Si pasojë e erës së fortë, e cila ka nisur gjatë natës, janë dëmtuar disa linja elektrike në disa zona, e për pasojë duke sjellë mungesë energjie kryesisht në fshatra.
Grupet e punës të Njesisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elelktrike në Lezhë janë vënë në gjendje gadishmerie, duke identifikuar dëmet e shkaktuara dhe nisur menjëherë ndërhyrjen për rikuperimin e tyre dhe rikthimin e energjisë në zonat ku mungon.
Ndërkohë, era e fortë ka përfshirë dhe zonën bregdetare të Shëngjinit, por pavarësisht detit të trazuar deri tani nuk raportohet për pezullim të lundrimit detar.
Referuar kushteve atmosferike, Emergjencat Civile në të tre Bashkitë e Qarkut Lezhë, përfshirë dhe Mirditën e Kurbinin janë vënë në gadishmeri për t’i paraprirë çdo situate që mund të krijihet nga moti i keq.