Moti i keq/ Pushuesit braktisin plazhet, pengohet lundrimi i anijeve e mjeteve t…
Moti i keq/ Pushuesit braktisin plazhet, pengohet lundrimi i anijeve e mjeteve turistike
Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin kanë prishur edhe planet e pushuesve. Shumë plazhe janë gjendur sot të braktisur ndërsa trafiku në shumë qytete bregdetare ka qenë i ngarkuar si pasojë e lëvizjeve të turistëve. Për shkak të motit të keq janë penguar edhe lundrimet në det.
Aktualisht, forca e detit është 5 ballë duke penguar lundrimin e anijeve të vogla dhe çdo mjeti turistik të cilat duhet të shmangen edhe nëse kanë qenë të planifikuara. Edhe sektori i peshkimit ka pezulluar aktivitetin nën ndikimin e këtyre kushteve atmosferike.
Pushuesit janë tërhequr duke qëndruar në hotele apo banesa të marra me qira por ka dhe prej atyre që janë larguar duke krijuar trafik të rënduar. E njëjta panoramë është parë edhe në plazhin e Velipojës ku për shkak të përkeqësimit të motit një pjesë e pushuesve janë larguar.
Pranë çdo kulle vrojtimi u dha sinjali i kuq në mënyrë që askush të mos futet në det për shkak edhe të rrezikut nga dallgët e forta.
Më së shumti e shtuna u shfrytëzua për foto në breg të detit apo një xhiro në pedonale ku shoqëruese ishin edhe reshjet e shiut.
Shumë qytete bregdetare janë në të njëjtën gjendje. Moti i keq me stuhi dhe reshje të dendura shiu, vjen pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta të cilat arritën mbi 40 gradë celsius.
Kjo situatë meteorologjike pritet të zgjasë vetëm gjatë fundjavës. Java tjetër do të ketë mot të mirë dhe temperatura të larta.