Moti i keq rikthehet në Lezhë / Reshje shiu dhe erë e fortë, pezullohet lundrimi detar në Shëngjin
Kjo e martë ka rikthyer motin e keq me stuhi shiu në Qarkun e Lezhës, duke sjellë dhe problematika.Prej mbrëmjes të së hënës, kapiteneria e portit të Shëngjinit ka pezulluar lundrimin detar për anijet vogla dhe ata të peshkimit, për shkak të detit të trazuar.
Sipas të dhënave zyrtare forca e detit ka rritur 6 deri në 7 ballë, ndërsa lartësia e dallgëve shkon deri në 2 metra, çka përbën rrezik për ludrim. Ndërkohë reshjet e shiut, kanë rritur nivelin e prurjeve në lumenj Drin,Gjadër dhe Mat, por aktualisht nuk përbëjnë rrezik për dalje nga shtrati.
Ndërkohë, situata e cila u krijua nga reshjet e dëborës në Mirditë është përmirësuar.Të gjitha fshatrat e thellë malorë kanë dalë nga izolimi dhe rrugët janë të kalueshme, ndërsa në pjesen më të madhe të territorit është rikthyer energjia elektrike.Referuar parashikimeve atmosferike, moti i keq me reshje shiu pritet të shoqërojë Qarkun e Lezhës gjatë gjithë javës, ndaj dhe strukturat e Mbrojtjes Civile në të tre Bashkitë e këtij qarku Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë vënë në gadishmëri të plotë për t’i paraprirë çdo situate që mund të krijohet.Në gjendje gadishmërie ndodhet edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për të ndërhyrë në çdo rast defekti dhe garantuar furnizimin me energji për popullatën.