Moti i keq rikthen problematikat / Bllokohet rruga nacionale Skuraj-Burrel, përroi Zmeja në Rrëshen del nga shtrati
Reshjet e shiut, të rëna me intensitet të lartë gjatë gjithë natës, kanë rikthyer problemet në Qarkun e Lezhës. Situata me shqetësuese paraqitet në Bashkitë e Kurbinit dhe të Mirditës. Prurjet e shumta të Perrroit Zmeja në Rrëshen, kanë sjellë daljen e tij nga shtrati në disa pika përgjatë unazës së qytetit, duke rrezikuar dhe disa banesa të cilat janë rrethuar nga uji.
Ndërsa në Kurbin, rënia e gurëve dhe inerteve solli bllokim e rrugës nacionale Skuraj-Burrel. Problematika më e madhe u paraqit në zonën e Shkopetit në një gjatësi prej 1 km të ketij aksi rrugor. Menjëherë pas sinjalizimit për situatën e krijuar, punëtorë dhe mjete të kompanisë mirëmbajtëse të këtij segmenti rrugor nisën punën për largimin e gurëve dhe inerteve nga trasea e rrugës dhe rreth orës 9:00 të së mërkurës u bë e mundur hapja e njërit krah të rrugës.
Gjithashtu probleme janë krijuar në fshatin Dilbnish të Kurbinit, ku prurjet e shumta të përrenjve malorë kanë sjellë dëmtime të rrugëve. Sipas të dhenave zyrtare të Mbrojtes Civile, deri në orët e paradites, në Qarkun Lezhë, kanë renë rreth 40 mm shi duke sjellë rritje të kuotave të lumenjve Drin e Mat, por fatmirësisht nuk paraqesin rrezik për përmbytje. Ndërkohë, nga moti i keq janë krijuar dhe probleme me furnizimin me energni elektrike, për shkak të dëmtimit të linjave, por grupet e punës të OSHEE ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve.