Moti i keq rikthen problemet në Lezhë/Deti i trazuar pezullon lundrimin në Shëngjin, reshjet e shiut rrisin nivelin e lumenjve
Moti i keq me reshje të dendura shiu ka rikthyer problemet në Lezhë.Prej mesditës të së premtes, kapiteneria e portit ka pezulluar lundrimin detar për anijet vogla dhe ata të peshkimit, për shkak të detit të trazuar.Mjetet lundruese janë ankoruar në port dhe nuk do të lejohet lundrimi deri në përmirësim të kushteve atmosferike.
Sipas të dhënave zyrtare forca e detit ka arritur 6 deri në 7 ballë, ndërsa lartësia e dallgëve shkon deri në 2.5 metra.Ndërkohë reshjet e shiut të cilat kanë rinisur që prej mëngjesit të kësaj të premte, kanë rritur nivelin e prurjeve në lumenjtë Drin,Gjadër dhe Mat, por aktualisht nuk përbëjnë rrezik për dalje nga shtrati.
Referuar parashikimeve atmosferike moti i keq me reshje shiu pritet të shoqëroje Qarkun e Lezhës edhe në ditët në vijim, ndaj dhe strukturat e Mbrojtjes Civile në të tre Bashkitë e këtij Qarku Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë vënë në gatishmëri të plotë për ti paraprirë çdo situate që mund të krijohet.Në gjendje gatishmërie ndodhet edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për të ndërhyrë në çdo rast defekti dhe për të garantuar furnizimin me energji për popullatën.