Moti i thatë ul numrin e anijeve që kalojnë në Kanalin e Panamasë
Numri i anijeve që do të lejohen të kalojnë nga 3 nëntori në kanalin e Panamasë do të jetë 25 në ditë nga 31 që është aktualisht.
Kjo për shkak të nivelit shumë të ulët të ujit në atë rrugë detare e cila është goditur nga thatësira më e rëndë e 70 viteve të fundit e shkaktuar nga dukuria natyrore El Nino.
Kanali i Panamasë redukton ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe distancën për anijet që lundrojnë mes oqeanit paqësor dhe atij atlantik.
13 deri në 15 mijë anije e përdorin atë çdo vit, por niveli i ujit në liqenin Gatun, që është edhe burimi kryesor i ujit për kanalin, ka vijuar të bjerë në nivele të paprecedentë duke detyruar autoritetet të reduktonin disa herë numrin e anijeve që kalojnë atje.
Ndërkohë që duke filluar nga shkurti I vitit të ardhshëm, ky numër do të reduktohet akoma më shumë duke shkuar në 18 në ditë.
Kufizimet mund të shtojnë presionin ndaj çmimeve të mallrave të konsumit, si dhe të shkaktojnë vonesa dhe tarifa shtesë në kostot e transportit.
Kanali i Panamasë është një rrugë e rëndësishme ujore për transportin e mallrave nga Azia në SHBA, veçanërisht para sezoneve ku është piku i shitjeve, si krishtlindja.
Përmes tij mundësohet transporti i shpejtë i lëndëve të para nga SHBA në Azi dhe në brigjet e Amerikës së jugut që lagen nga Oqeani paqësor.