Mrekulli e Kuqezinjve e gjithë shqiptaria në festë/ Kombëtarja kuqezi fiton ndaj Çekisë 3 me 0. Një hap më pranë “Euro 2024”-ës
Kuqezinjtë e Kombëtares së Shqipërisë bëjnë mrekullinë. Shqipëria triumfoi kundër Çekisë me rezultatin 3-0 dhe është shumë pranë objektivit për të siguruar për të dytën herë në histori kualifikimin në Europian. Përmes një superatmosfere që kishte përfshirë stadiumin “Air Albania” të mbushur plot, kuqezinjtë janë futur në fushë me objektivin për të fituar dhe ia dolën me golat e Jasir Asanit dhe dygolëshin e Taulant Seferit. Edhe pse me dy mungesa të rëndësishme, si Broja dhe Ismaili, kombëtarja e Shqipërisë e drejtuar nga trajneri brazilian Silvinjo, e nisi mbarë duke gjetur shumë shpejt golin e avantazhit që në minutën e nëntë me Asanin, i cili vendosi të provonte të majtën dhe i shtangu të gjithë nga jashtë zone. Djemtë tanë ishin të vendosur mirë në fushë dhe shpesh dolën përpara rrezikshëm. Në një moment ishte Sokol Cikalleshi ai që u ndal nga portieri kundërshtar, pasi gjuajti me të majtën brenda zone. Në minutën e 40-të Çekia mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të sulmuesit Mojmir Chytil. Shqipëria shkoi në pushim në epërsi 1-0, çka i dha qetësi skuadrës dhe trajnerit Sylvinho. Kuqezinjtë goditën sërish në pjesën e dytë, në minutën e 51-të me Taulant Seferin. Sulmuesi nuk u ndal me kaq pasi në të 73-ën vulosi triumfin magjik. Deri në fund trajneri Sylvinho kreu disa zëvëndësime duke futur në fushën e lojës Arbnor Mujën, Mirlind Dakun, Ernest Muçin dhe Klaus Gjasulën. Tashmë kuqezinjtë numërojnë 13 pikë në vendin e parë në grupin E, 4 më shumë se Polonia e vendit të dytë. Takimi i rradhës për Shqipërinë është në 17 tetor po në “Air Albania” ku do të përballemi në një miqësore me Bullgarinë, ndërsa në 17 nëntor do të udhëtojmë në Moldavi për të zhvilluar takimin e parafundit në grupin E , ku në rast të një rezultati pozitiv mund të sigurojmë kualifikimin për në Europianin “Gjermani 2024”.