MSH konfirmon për RTSH : Asnjë rast i konfirmuar me linë e majmunit në Shqipëri
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për Radio Televizionin Shqiptar se nuk ka asnjë rast të konfirmuar në Shqipëri me linë e majmunëve.
Një ditë më parë, OBSH e deklaroi linë e majmunit, emergjencë globale të shëndetit publik. Vendimi i së mërkurës vjen pas një shpërthimi të infeksionit viral në Republikën Demokratike të Kongos që është përhapur në vendet fqinje.
Një komision për emergjencat u takua herët të mërkurën (14 gusht) për të këshilluar Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghenreyesus, nëse përhapja e sëmundjes përbën një “emergjencë të shëndetit publik në shkallë botërore”.
Kjo emergjencë përbën nivelin më të lartë të alarmit të OBSH-së dhe synon të përshpejtojë hulumtimet, burimet financiare dhe masat e shëndetit publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të frenuar një sëmundje.
“Është e qartë se një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare është thelbësore për të ndaluar përhapjen dhe për të shpëtuar jetë”, tha zoti Tedros.
Lia e majmunit mund të përhapet përmes kontaktit. Zakonisht një sëmundje e lehtë, në disa raste mund të jetë vdekjeprurëse. Lia e majmunit shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra në trup të mbushura me qelb. Një variant i ri i lisë duket se përhapet më lehtë nëpërmjet kontaktit të ngushtë, përfshirë marrëdhëniet intime. Lia e majmunit është përhapur nga Kongo në vendet fqinje, përfshirë Burundin, Kenian, Ruandën dhe Ugandën.