“M’u mbushën sytë me lot”, mjeku shqiptar në SHBA: Në Etiopi ndihmova njerëz pa qëllime përfitimi
Kardiologu Sulejman Çelaj me origjinë nga Gjakova, që nga viti 1996 banon në Amerikë, ku ka ndërtuar një karrierë të gjatë e i vlerësuar me çmime të ndryshme.
Në qytetin e Bronksit ai është i njohur si një mjek me tipare të theksuara humanitare. Sulejmani është drejtues i repartit të kirurgjisë në spitalin Shën Barnabas në Bronks të Nju-Jorkut.
Gjatë periudhës së pandemisë ai ka qenë në shërbim të pacientëve, të cilët mirënjohjen ndaj doktor Manit, siç e thërrasin, e bënë publike në sheshin e mirënjohur, Tajms Skuer.
Kur ra tërmeti i fundit i fortë në Shqipëri, Dr. Çelaj ndihmoi në ndërtimin e dy shtëpive duke mbledhur fonde me miqtë të tij. Ai ka shërbyer pa pagesë edhe në zonat më të varfra të botës.
“Unë jam edhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë këtu në Nju-Jork-Siti. Një ditë, në bisedë e sipër më një studentin tim, ai më tregoi për një mision drejt Etiopisë. Me ta dëgjuar vendosa të bashkohem pa asnjë hezitim. Etiopia ishte vend i varfër, me shumë mungesa. Mbas operacionit tim të dytë atje m’u mbushën sytë me lot, që të ndihmoje njerëz të huaj pa asnjë qëllim përfitues,” tha Dr. Çelaj për emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH.
Doktori gjakovar mban gjithashtu titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, i akorduar nga ish-presidenti Ilir Meta në vitin 2020.
Ai është i apasionuar pas leximit, maratonave, koleksionimit të sendeve antike shqiptare, ai ka arritur të krijojë një minimuze në shtëpinë e tij.
“Amerika ka peripecitë e saj, por një gjë është e rëndësishme këtu: puna dhe përkushtimi vlerësohen,” u shpreh ai.